Një rast i raportuar fillimisht si vjedhje e rëndë në Viti ka marrë një kthesë të papritur pas hetimeve policore. Një 42-vjeçar, i cili kishte denoncuar se persona të panjohur ia kishin vjedhur kasafortën me pistoletë nga dhoma e gjumit, ka pranuar më vonë se arma nuk ishte vjedhur fare, por se e kishte dhënë për të shlyer një borxh.

Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se bëhet fjalë për Ajet Nezirin, rreth 42-vjeçar, nga fshati Ballancë i Vitisë, ndaj të cilit tashmë është iniciuar procedurë penale për dyshimin e lajmërimit apo kallëzimit të rremë.

Gjithçka kishte nisur më 9 maj 2026, kur Neziri ishte paraqitur në Nënstacionin Policor në Pozheran, duke raportuar zhdukjen e një pistolete Tisas, të kalibrit 9 mm, për të cilën kishte deklaruar se posedonte leje të vlefshme.

Sipas denoncimit të tij fillestar, pistoleta, së bashku me dy karikatorë dhe 12 fishekë, ndodhej në një kasafortë të fshehur brenda një dollapi në dhomën e gjumit.

Ai kishte deklaruar se më 7 maj ishte nisur për në Pejë për t’i vizituar disa shokë, duke e lënë shtëpinë pa njeri dhe derën hyrëse të pambyllur me çelës.

Kur ishte kthyer dy ditë më vonë, rreth mesditës, kishte vërejtur se kasaforta ku mbante armën mungonte. Në atë kohë kishte deklaruar se nuk dyshonte tek askush për vjedhjen.

Pas denoncimit, Policia kishte iniciuar rastin “Vjedhje e rëndë”, ndërsa hetimet i ishin besuar njësisë hetimore në Viti.

Por hetimet zbuluan dyshime se historia e vjedhjes mund të mos ishte e vërtetë.

Pas sigurimit të informacioneve të reja, hetuesit e kanë intervistuar Nezirin në prani të avokatit mbrojtës.

Gjatë intervistimit, sipas informacioneve të siguruara nga Sinjali, ai ka ndryshuar versionin fillestar dhe ka deklaruar se pistoleta nuk i ishte vjedhur, por ia kishte dhënë një personi të panjohur si pjesë të shlyerjes së një borxhi.

Kështu, arma që për muaj të tërë ishte trajtuar si e vjedhur rezulton, sipas deklarimit të ri të pronarit, të ishte dorëzuar prej tij tek një person tjetër.

Pas këtij zhvillimi, Prokurori i Shtetit është njoftuar për rezultatet e hetimeve dhe ka bërë rikualifikimin e rastit nga “Vjedhje e rëndë” në “Lajmërim apo kallëzim i rremë”.

Ndaj Ajet Nezirit do të paraqitet kallëzim penal në procedurë të rregullt.

Ndërkohë, mbetet e paqartë se ku ndodhet aktualisht pistoleta, kush është personi që e ka marrë dhe çfarë borxhi pretendohet se është shlyer me dorëzimin e saj.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.