Një Mercedes GLC 220D, i vitit 2026, i cili ishte futur në kërkim ndërkombëtar pas një rasti të dyshuar të mashtrimit në Poloni, është lokalizuar nga Policia e Kosovës në një parking nëntokësor në Mitrovicë, merr vesh Sinjali.

Sinjali mëson se informacioni për veturën kishte mbërritur te autoritetet kosovare përmes Zyrës për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor – ILECU, më 1 shtator.

Bëhet fjalë për një Mercedes GLC 220D, ngjyrë të zezë, me targa polake dhe vit prodhimi 2026, pronë e kompanisë polake “FLEX RENT” Sp. z o.o.

Informacionet e siguruara tregonin se vetura, ndonëse kërkohej ndërkombëtarisht, ndodhej në Mitrovicë.

Gjurmët e saj i kanë çuar hetuesit në rrugën “Bedri Gjinaj”.

Njësia e Autokrimeve ka arritur ta lokalizojë Mercedesin në parkingun nëntokësor të “ARSY COMPANY”, por nxjerrja e tij nga parkingu nuk ka qenë e mundur në atë moment.

Për këtë është njoftuar kompania pronare në Poloni, e cila ka dërguar në Kosovë përfaqësuesin e saj, Marcin Grzegorczyk, bashkë me çelësin e automjetit.

Vetura është nxjerrë nga parkingu dhe më pas është vendosur në Stacionin Policor Mitrovica Jug, ku po mbahet në kuadër të procedurave për rastin.

Përfaqësuesi i kompanisë polake është intervistuar në cilësinë e dëshmitarit, me asistimin e një përkthyesi të licencuar.

Pas konsultimit me Prokurorin e Shtetit, rasti është iniciuar si “Mashtrim”.

Personi që dyshohet se qëndron prapa rastit ende nuk është identifikuar në informacionet që ka siguruar Sinjali, ndërsa hetimet po zhvillohen në procedurë të rregullt.

Se si përfundoi në Mitrovicë një Mercedes i vitit 2026, pronë e një kompanie polake dhe në kërkim ndërkombëtar, pritet të jetë një nga çështjet që do ta zbardhë hetimi.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.