Një mosmarrëveshje pronësore mes dy vëllezërve në Mitrovicë ka marrë një tjetër drejtim, pasi njëri prej tyre ka deklaruar në Polici se vëllai i tij posedon armë, përfshirë edhe një AK-47, mëson Sinjali.
Rasti është raportuar më 18 gusht, rreth orës 09:20, në rrugën “Dora Vegman”, në Mitrovicën e Jugut.
Sipas informacioneve që ka mësuar Sinjali, gjithçka ka nisur pasi Sh.S. rreth 48-vjeçar ka raportuar se kishte mosmarrëveshje rreth pronës me vëllain e tij, Sh.Sh. 55-vjeçar.
Gjatë intervistimit në Polici, dëshmitari ka deklaruar se vëllai i tij dyshohet se posedon një pistoletë dhe një armë të gjatë AK-47.
Pretendimet nuk kanë mbetur vetëm në deklarim. Dëshmitari u ka prezantuar hetuesve edhe një video-incizim të vjetër, në të cilin, sipas të dhënave policore, i dyshuari shihet duke shtënë me një armë të gjatë.
Pas këtyre informacioneve, me rekomandimin e Prokurorit kujdestar dhe urdhër verbal të gjyqtarit të procedurës paraprake, është autorizuar bastisja e shtëpisë së 55-vjeçarit.
Megjithatë, gjatë kontrollit Policia nuk ka gjetur asnjë armë.
Pas konsultimit me Prokurorin kujdestar, rasti është iniciuar si “Mbajtja në pronësi, posedim i paautorizuar i armës”, ndërsa i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.
Hetimet po vazhdojnë për të verifikuar pretendimet dhe rrethanat e paraqitura në raportim.