Një zhvillim i rëndësishëm ka ndodhur në rastin e therjes së 3 shtatorit para objektit të gjykatës në Viti, ku një person ishte plagosur me thikë derisa palët po prisnin për një seancë gjyqësore.
Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se i dyshuari kryesor, Leotrim Ahmeti, i cili kishte qenë në arrati që nga dita e incidentit, është vetëdorëzuar më 28 shtator, i shoqëruar nga avokati i tij mbrojtës.
Gjatë paraqitjes, Ahmeti ka dorëzuar edhe një thikë, për të cilën ka deklaruar se është mjeti me të cilin është kryer vepra penale.
Rasti kishte ndodhur më 3 shtator, rreth orës 13:10, në rrugën “Adem Jashari” në Viti, para objektit të gjykatës.
Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, personat e përfshirë në rast ndodheshin para gjykatës duke pritur për një seancë, kur kishte ndodhur përleshja.
Viktima, R.R., ishte therur me mjet të mprehtë dhe ishte dërguar fillimisht për trajtim mjekësor në Viti, e më pas në Spitalin Rajonal në Gjilan, ku gjendja e tij ishte raportuar stabile.
Në fazën e parë të hetimeve, një tjetër person i dyshuar ishte ndaluar për 48 orë, ndërsa Leotrim Ahmeti ishte shpallur në kërkim.
Pas analizimit të provave të grumbulluara dhe veprimeve hetimore, Ahmeti ishte identifikuar si i dyshuari kryesor për “Vrasje në tentativë”.
Pas vetëdorëzimit dhe intervistimit, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, ai është ndaluar për 48 orë.
Hetimet lidhur me rastin po vazhdojnë.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.