Një operacion antidrogë i koduar “Shqiponja” është zhvilluar mëngjesin e 28 shtatorit në Isniq të Deçanit, ku janë zbuluar bimë të dyshuara kanabisi, marihuanë dhe pajisje që dyshohet se përdoreshin për përgatitjen e substancës narkotike.

Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se Njësiti për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë në Pejë kishte pranuar informacione operative se në pronën ku jetonte njëri prej të dyshuarve mund të kishte bimë kanabisi të kultivuara.

Pas konsultimit me Prokurorin e Shtetit dhe marrjes së urdhrit të gjykatës, është zhvilluar operacioni në pronën e të dyshuarve Sylejmon Osdautaj dhe Elton Osdautaj.

Gjatë bastisjeve janë gjetur dhe sekuestruar shtatë bimë Kanabis Sativa, të kultivuara në sera të improvizuara, me gjatësi nga rreth 100 deri në 180 centimetra.

Po ashtu janë gjetur rreth 28 gramë substancë e dyshuar si marihuanë, një joint, një mulli, një peshore elektronike, filtra, letra mbështjellëse dhe dy telefona mobilë.

Në operacion kanë asistuar edhe njësi të tjera policore, përfshirë Njësinë e Reagimit të Shpejtë, krim-teknikën rajonale dhe stacionet policore në Deçan e Junik.

Të dy të dyshuarit janë intervistuar lidhur me rastin dhe provat e sekuestruara.

Pas konsultimit me Prokurorin e Shtetit, ndaj tyre është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.

Rasti po hetohet për “Posedim të paautorizuar të narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge” dhe “Kultivim të bimës së hashashit, shkurres së kokainës ose bimëve të kanabisit”.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.