Një rast i pazakontë familjar është raportuar në Shtime, ku një 59-vjeçar ka denoncuar djalin e tij, nën dyshimin se ia kishte marrë telefonin nga shtëpia dhe më pas e kishte shitur bashkë me një shok.
Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se bëhet fjalë për M.S, i cili është paraqitur në stacion së bashku me djalin e tij, Edis Salihi, 23-vjeçar dhe ka raportuar se ky i fundit ia kishte marrë një iPhone 17 Pro Max, në vlerë prej rreth 1 mijë e 260 euro.
Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, Edis Salihi dyshohet se më pas, së bashku me shokun e tij Edmond Brahimi, 24-vjeçar, kanë tentuar ta shesin telefonin.
Dy të rinjtë dyshohet se fillimisht kanë kontaktuar përmes Snapchat me një person që përdorte nofkën “Nino 595”, me të cilin më pas janë takuar në Lipjan.
Telefoni dyshohet se është shitur për 500 deri në 600 euro, dukshëm më pak se vlera e deklaruar prej 1 mijë e 260 eurosh.
Të dy të dyshuarit janë intervistuar lidhur me rastin dhe, me autorizim të Prokurorit kujdestar, është iniciuar rast për veprën penale “Vjedhje”.
Pas intervistimit, Edis Salihi dhe Edmond Brahimi janë ndaluar për 48 orë, ndërsa hetimet për rastin po vazhdojnë.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.