Pas gati dy muajsh në kërkim, një person i dyshuar lidhur me rastin e rëndë të të shtënave me armë në fshatin Halabak të Podujevës është paraqitur vetë para organeve të rendit.

Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se bëhet fjalë për Avdi Xhakollin, 45-vjeçar, i cili më 22 shtator është paraqitur në Njësinë e Hetimeve Policore në Prishtinë, i shoqëruar nga avokati i tij mbrojtës.

Xhakolli ishte në kërkim policor dhe ndaj tij kishte urdhër-arrest aktiv lidhur me rastin e 26 korrikut në Halabak, ku pas një mosmarrëveshjeje mes disa personave ishin përdorur edhe armë zjarri.

Rasti po hetohet për disa vepra penale, përfshirë “Vrasje e rëndë në tentativë”, “Vrasje në tentativë”, “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe “Lëndim i lehtë trupor”.

Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, Xhakolli është intervistuar në praninë e avokatit mbrojtës dhe, pas përfundimit të intervistës, me vendim të Prokurorit është dërguar në mbajtje për 48 orë.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.