Vozitësit të cilët ngasin automjetin pa ndezur dritat edhe gjatë ditës gjobiten nga Policia e Kosovës, shkruan Gazeta Sinjali.

Mirëpo, në mesnatë një vozitës nuk i kishte ndezur dritat as në mbrëmje dhe po qarkullonte lirshëm në rrugën “Besim Shala” në Prizren.

Një sinjalizues ka dërguar pamje në adresë të Gazetës Sinjali, ku shihet se traktori  ishte i ngarkuar edhe me rimorkio me të cilën barte mbeturina dhe asnjëra prej tyre sipas rregullave të trafikut nuk posedonte shenja sinjalizuese.

“Për lëvizjen çdo natë të disa traktorëve në rrugën ‘Besim Shala’ në Prizren, çdo natë për të hedhur bërllog e sende. Por shqetësimi im është se po lëvizin pa drita ose diçka për t’u vërejtur. E lus Policinë e Prizrenit të marrë masa ndaj këtyre. Këtë veprim e bëjnë gjatë natës, pas orës 2-3”, tha sinjalizuesi për Sinjalin.

Vazhdoni të denonconi kundërvajtjet në Gazetën Sinjali, në mënyrë që të kontribuojmë sadopak që rregullat në trafik të respektohen.