Rijad Isufi, 29-vjeçari nga Prishtina, i cili është përmendur në disa raportime të mëhershme të Gazetës Sinjali, ka përfunduar sërish në prangat e Policisë së Kosovës, kësaj radhe nën dyshimin për përfshirje në të paktën 14 raste të vjedhjeve të rënda në kryeqytet, raporton ekskluzivisht Gazeta Sinjali.

Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se Isufi është arrestuar të shtunën, më 7 nëntor, rreth orës 20:00, në një operacion të zhvilluar nga hetuesit e Kryeqytetit.

Sipas informatave të siguruara nga Sinjali, 29-vjeçari është intervistuar lidhur me gjithsej 14 raste të vjedhjeve të rënda, prej të cilave 11 janë trajtuar nga Stacioni Policor Qendra dhe tri të tjera nga Stacioni Policor Jugu.

Gjatë intervistimit, në prani të avokatit mbrojtës, Isufi ka shfrytëzuar të drejtën e tij ligjore për t’u mbrojtur në heshtje.

Pas përfundimit të procedurave policore, me vendim të Prokurorisë, ai është dërguar në mbajtje.

Rastet e mëhershme të raportuara nga Sinjali

Rijad Isufi nuk është emër i panjohur për raportimet e Gazetës Sinjali. Në nëntor të vitit 2025, ai ishte identifikuar si njëri nga dy personat e dyshuar për vjedhjen e katër kompleteve të tunave “Tuna Mare” në një market të rrjetit “Super Viva”, në rrugën “Haxhi Zeka” në Prishtinë.

Sipas raportimit të asaj kohe, produktet e vjedhura kishin vlerë prej 23.16 eurosh, ndërsa Isufi dhe personi tjetër i dyshuar ishin arrestuar nga Policia.

Në korrik të vitit 2026, Sinjali raportoi se Isufi ishte arrestuar bashkë me Megzon Sefedinin, nën dyshimin se kishin sulmuar tre persona në Mazgit dhe u kishin dëmtuar veturën. Ngjarja kishte ndodhur më 25 qershor, ndërsa tre të lënduarit kishin marrë trajtim mjekësor në QKUK.

Ndaj tyre ishte iniciuar procedurë për veprat penale “Lëndim i lehtë trupor” dhe “Asgjësim apo dëmtim i pasurisë”, ndërsa të dy ishin dërguar në mbajtje për 48 orë.

Ndërkaq, në tetor të këtij viti, Isufi ishte raportuar sërish nga Sinjali për një incident me Policinë në Prishtinë.

Më 18 tetor, rreth orës 23:35, në rrugën “Ali Vitia”, njësitë policore kishin ndaluar një veturë Audi A3, në të cilën ndodhej edhe Isufi.

Gjatë kontrollit, ai dyshohet se kishte tentuar t’u ikte zyrtarëve policorë, duke vrapuar në drejtim të Rrethit të Viktorisë. Gjatë ikjes, sipas informatave të siguruara nga Sinjali, ai kishte hedhur në tokë një sëpatë që e mbante me vete.

Policia kishte arritur ta arrestonte pas ndjekjes, ndërsa gjatë arrestimit ai dyshohet se kishte rezistuar dhe kishte shfaqur sjellje agresive. Edhe pasi ishte futur në automjetin policor, kishte nisur ta godiste xhamin, duke i shkaktuar lëndime vetes, për çka ishte kërkuar ndërhyrja e ekipit emergjent.

Sëpata ishte sekuestruar si provë materiale, ndërsa ndaj tij ishte iniciuar procedurë për veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Hetimet lidhur me 14 rastet e fundit të vjedhjeve të rënda po vazhdojnë.