Një konflikt familjar mes një nëne dhe djalit të saj në fshatin Osek Hilë të Gjakovës ka përfunduar me ndërhyrjen e Policisë, pasi një mosmarrëveshje verbale është shoqëruar me akuza dhe fyerje të ndërsjella. Të dy janë intervistuar si të dyshuar në një rast të dhunës në familje, raporton Gazeta Sinjali.
Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, ngjarja ka ndodhur të shtunën, më 7 nëntor, rreth orës 20:00, në rrugën “Artan Zheli”.
Në këtë rast janë përfshirë një grua 50-vjeçare dhe djali i saj 19-vjeçar, mes të cilëve kishte lindur një mosmarrëveshje familjare.
Sipas të dhënave fillestare, nëna akuzohet se kishte ushtruar dhunë psikologjike ndaj djalit, duke e akuzuar për çështje të ndryshme, ndërsa ky i fundit më pas e kishte fyer atë.
Në incident nuk ka pasur përleshje fizike.
Pas intervistimit të të dyve, Policia ka njoftuar Prokurorinë, me udhëzim të së cilës është iniciuar rasti “Dhunë në familje”.
Nëna dhe djali janë liruar në procedurë të rregullt.