Një grua në fshatin Poterq i Ulët të Klinës është përballur me dhunë fizike gjatë një konflikti familjar, ku bashkëshorti i saj dyshohet se e ka goditur me një copë druri dhe me mbushës telefoni, ndërsa një tjetër familjar e ka shtyrë. Ndërhyrja e një dëshmitareje i ka dhënë fund incidentit, ndërsa të dy burrat janë ndaluar për 48 orë, raporton Gazeta Sinjali.

Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, ngjarja ka ndodhur të shtunën, më 7 nëntor, rreth orës 18:10, kur një mosmarrëveshje mes bashkëshortëve ka përshkallëzuar në dhunë fizike.

Gjatë konfliktit, bashkëshorti i gruas dyshohet se e ka goditur atë me një copë druri dhe një mbushës telefoni, ndërsa personi tjetër i përfshirë në rast dyshohet se e ka shtyrë.

Në ato momente ka ndërhyrë një dëshmitare, e cila i ka ndarë personat e përfshirë dhe ka ndërprerë përleshjen.

Policia është njoftuar për rastin dhe ka intervenuar në vendin e ngjarjes, duke shoqëruar në stacion të dy të dyshuarit, viktimën dhe dëshmitaren.

Pas intervistimit nga hetuesit për dhunën në familje, është njoftuar Prokuroria, e cila ka urdhëruar inicimin e rastit “Dhunë në familje”.

Me vendim të Prokurorisë, të dy të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë, ndërsa gruaja dhe dëshmitarja janë kthyer në shtëpitë e tyre.