Kosova ka kaluar një tjetër 24-orësh të mbushur me ngjarje të ndryshme, ku nuk kanë munguar rastet e dhunës në familje, përleshjet fizike, arrestimet dhe incidentet me armë. Policia ka intervenuar në disa qytete të vendit, ndërsa në disa raste të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë.
Gjakovë – U largua nga burri dhe nisi jetën me dy djemtë, ai i shkon te dera e banesës në Gjakovë – gruaja thërret Policinë
Një grua në Gjakovë ka kërkuar ndihmën e Policisë pasi bashkëshorti, nga i cili ishte larguar prej muajsh, i ka shkuar te banesa ku ajo jeton me qira së bashku me dy djemtë e saj. Gruaja nuk ia ka hapur derën dhe ka njoftuar Policinë, e cila më pas e ka arrestuar bashkëshortin. Me vendim të Prokurorisë, ai është dërguar në mbajtje për 48 orë.
Shtime – Të shtëna armësh në një aheng familjar në Gjurkoc, Policia sekuestron pistoletën dhe municionin
Një aheng familjar në fshatin Gjurkoc të Shtimes është përcjellë me të shtëna armësh, pasi një person ka shtënë në ajër me pistoletë. Policia ka sekuestruar armën, një karikator me 30 fishekë, tri gëzhoja, si dhe dokumentacionin e armës. I dyshuari është liruar në procedurë të rregullt me vendim të Prokurorisë.
Pejë – Përplasje mes bashkëshortëve në Pejë, akuza për dhunë dhe incizime me telefon – burri ndalohet për 48 orë
Një mosmarrëveshje mes bashkëshortëve në fshatin Pavlan të Pejës ka përfunduar me ndërhyrjen e Policisë. Gjatë intervistimit, burri dhe gruaja kanë dhënë deklarime të ndryshme për incidentin, ku janë ngritur pretendime për dhunë fizike dhe janë pranuar videoincizime me telefon për arsye sigurie. Me vendim të Prokurorisë, burri është ndaluar për 48 orë, ndërsa gruaja është liruar në procedurë të rregullt.
Çagllavicë – Para të falsifikuara në bankomatin e TEB-it në Çagllavicë, zbulohen 210 euro gjatë dy deponimeve
Në bankomatin e një filiali të bankës TEB në Çagllavicë janë identifikuar 210 euro që dyshohet se janë të falsifikuara. Kartëmonedhat janë sekuestruar nga Policia dhe do t’i nënshtrohen ekspertizës për të përcaktuar autenticitetin e tyre. Rasti është iniciuar si “Falsifikimi i parasë”.
Malishevë – Ekskluzive | Përleshje me thikë në Malishevë, këta janë dy të dyshuarit – njëri përfundoi në spital, tjetri në ndalim
Një përleshje në fshatin Bellanicë të Malishevës ka përfunduar me përdorimin e thikës dhe lëndimin e dy personave. Burimet e Sinjalit kanë bërë të ditur se në rast janë përfshirë Erolind Hoxha (31) dhe Leonard Dobraj (26). Dobraj është dërguar në Spitalin Rajonal të Prizrenit dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetë, ndërsa Hoxha është ndaluar për 48 orë. Gjatë hetimeve, edhe Dobraj është trajtuar si i dyshuar.
Prishtinë – Ekskluzive | Bie në prangat e Policisë 29-vjeçari në Prishtinë, ky është i dyshuari për të paktën 14 vjedhje të rënda
Policia ka arrestuar 29-vjeçarin Rijad Isufi, i cili dyshohet se është i përfshirë në të paktën 14 raste të vjedhjeve të rënda në Prishtinë. Ai është intervistuar lidhur me 11 raste të trajtuara nga Stacioni Policor Qendra dhe tri të tjera nga Stacioni Policor Jugu. Pas përfundimit të procedurave policore, me vendim të Prokurorisë është dërguar në mbajtje.
Kullë – Ekskluzive | Kroacia e kërkonte përmes INTERPOL-it, ky është 28-vjeçari që u arrestua në kufirin e Kosovës
Një 28-vjeçar është arrestuar në pikën kufitare në Kullë, pasi gjatë kontrollit kufitar është konstatuar se ndaj tij kishte urdhërarrest ndërkombëtar të lëshuar me kërkesë të autoriteteve kroate përmes INTERPOL-it. Burimet e Sinjalit kanë bërë të ditur se bëhet fjalë për Mic Male Vorfajn (28), ndaj të cilit është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.
Gjakovë – Përplasje mes nënës dhe djalit në Gjakovë, akuza dhe fyerje në familje – të dy përfundojnë në Polici
Një konflikt familjar mes një nëne 50-vjeçare dhe djalit të saj 19-vjeçar në fshatin Osek Hilë të Gjakovës ka përfunduar me ndërhyrjen e Policisë. Nëna dyshohet se ka ushtruar dhunë psikologjike ndaj djalit, duke e akuzuar për çështje të ndryshme, ndërsa ai më pas e ka fyer. Të dy janë intervistuar si të dyshuar dhe janë liruar në procedurë të rregullt.
Ferizaj – BMW-ja u largua nga vendi i aksidentit në Ferizaj, Policia e ndalon shoferin dhe i gjen pistoletë – ky është i dyshuari
Policia ka ndaluar një veturë BMW në Ferizaj, drejtuesi i së cilës dyshohej se ishte larguar nga vendi i një aksidenti trafiku. Gjatë kontrollit, 40-vjeçari Alban Jakupi ka deklaruar se posedonte një pistoletë për të cilën kishte leje posedimi, por jo autorizim për bartje jashtë vendbanimit. Policia ka sekuestruar armën, karikatorin dhe 10 fishekë, ndërsa i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.
Klinë – Dhunë ndaj gruas në Klinë, burri e godet me dru e mbushës telefoni, ndërhyn edhe një familjar – të dy përfundojnë në ndalim
Një grua në fshatin Poterq i Ulët të Klinës dyshohet se është përballur me dhunë fizike nga bashkëshorti, i cili dyshohet se e ka goditur me një copë druri dhe mbushës telefoni. Një tjetër familjar dyshohet se e ka shtyrë, ndërsa një dëshmitare ka ndërhyrë për t’i ndarë personat e përfshirë. Me vendim të Prokurorisë, të dy të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë.
SINJALI 24 – Kur ti flije, ne e përcollëm Kosovën.