Gazmend Hoxha ka dhënë dorëheqje nga pozita e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, pas rastit të vrasjes së Arlinda Zekajt në Pejë nga kunati i saj me sopatë, i cili nxiti reagime të shumta dhe kërkesa për llogaridhënie institucionale.
Hoxha ishte emëruar në këtë pozitë më 8 mars 2023, pas rekomandimit të ministrit të atëhershëm të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
Dorëheqja e tij vjen pas kritikave dhe kërkesave për përgjegjësi institucionale lidhur me veprimet dhe mosveprimet e organeve përgjegjëse në rastin e Arlindës.
Kryeministri Albin Kurti e ka pranuar kërkesën e Hoxhës për dorëheqje dhe e ka liruar nga detyra, ndërsa në vend të tij ka caktuar Fehmi Hotin ushtrues detyre të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës.
Para emërimit të Gazmend Hoxhës në krye të Policisë së Kosovës, këtë pozitë e mbante Samedin Mehmeti, i cili dha dorëheqje në gusht të vitit 2022. Ai kishte deklaruar se dorëheqja lidhej me “arsye personale dhe ndërgjegje profesionale”, pas rastit të dhunimit të një 11-vjeçareje në Prishtinë.