Një grua në Klinë ka kërkuar ndihmën e Policisë, pasi bashkëshorti i saj dyshohet se e ka kapur për fyti dhe e ka shtyrë gjatë një incidenti brenda shtëpisë. Kur patrulla ka mbërritur në vendngjarje, ka gjetur gota të thyera dhe një dhomë të dëmtuar, ndërsa i dyshuari ishte larguar. Vetëm dhjetë minuta më vonë, ai është paraqitur vetë në stacionin policor.
Burimet e Gazetës Sinjali bëjnë me dije se ngjarja ka ndodhur të dielën, më 1 nëntor, rreth orës 16:40, në rrugën “Muhamet Haxha” në Klinë.
Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, viktima Gj.M. (49) ka telefonuar Policinë dhe ka denoncuar bashkëshortin e saj, K.M. (38), për dhunë fizike.
Ajo ka deklaruar se bashkëshorti fillimisht e kishte fyer, e më pas e kishte kapur për fyti dhe e kishte shtyrë me duar.
Pas raportimit, njësitë policore kanë dalë menjëherë në lokacion, ku kanë kontaktuar me gruan dhe kanë konstatuar se në dhomë kishte dëmtime, përfshirë disa gota të thyera.
Viktima është dërguar në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Klinë për trajtim mjekësor.
Ndërkohë, bashkëshorti ishte larguar nga vendngjarja, por rreth dhjetë minuta më vonë është paraqitur në Stacionin Policor në Klinë.
Rasti është marrë në trajtim nga hetuesja për dhunë në familje, e cila ka ndërmarrë veprimet përkatëse dhe ka njoftuar Prokurorinë e Shtetit.
Me vendim të Prokurorisë, ndaj K.M. është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.
Pas përfundimit të procedurave fillestare, gruaja ka vendosur të kthehet në shtëpinë e saj, ku jeton me fëmijët.
Rasti është iniciuar nën dyshimin për veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”, në kontekst të dhunës në familje, ndërsa hetimet vazhdojnë për sqarimin e plotë të rrethanave.