Përfundimi i gërmimeve në Zubin Potok, ku janë gjetur mbetje mortore që dyshohet se u përkasin 23 personave, është vetëm pjesa e dukshme e një operacioni që kishte nisur shumë më herët.

Pas tij qëndron një punë e gjatë hetimore, e zhvilluar larg vëmendjes së publikut nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Luftës e Policisë së Kosovës.

Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se në qendër të këtij hetimi ka qenë një grup i posaçëm, i krijuar nga drejtori i kësaj Drejtorie dhe i përbërë nga vetëm katër hetues policorë dhe një epror.

Një ekip i vogël në numër, por që do të përfundonte përpara një prej rezultateve më domethënëse të hetimeve të krimeve të luftës në periudhën e fundit.

Puna nuk nisi në momentin kur makineritë hynë në terren.

Për një kohë të gjatë, hetuesit kishin mbledhur dhe verifikuar informacione, kishin ndjekur gjurmë dhe kishin ndërlidhur të dhëna që mund të ndihmonin në zbardhjen e asaj që kishte ndodhur gjatë luftës.

Hetimi, sipas burimeve të Sinjalit, avancoi deri në pikën kur informacionet operative u shndërruan në veprime konkrete.

Fillimisht erdhën operacionet që çuan në arrestimin e disa personave të dyshuar.

Por puna nuk përfundoi me prangat.

Gjurmët që po ndiqte grupi hetimor e çuan Policinë dhe institucionet e tjera kompetente drejt lokacioneve të dyshuara në Zubin Potok.

Pastaj nisi ajo që për familjet e personave të zhdukur ka një domethënie krejt tjetër nga një operacion i zakonshëm policor.

U gjet lokacioni i parë. Pastaj i dyti. Më pas edhe i treti.

Në tri varreza të zbuluara gjatë operacionit janë gjetur mbetje mortore që, sipas vlerësimeve të deritanishme, dyshohet se u përkasin 23 personave.

Për hetuesit, ky është rezultat i një pune të gjatë.

Për drejtësinë, janë prova dhe gjurmë që mund të hapin rrugën drejt zbardhjes së krimeve.

Por për familjet që presin prej më shumë se dy dekadash, këto gjetje mund të kenë një kuptim shumë më të madh, mundësinë që pritja për të mësuar fatin e më të dashurve të tyre të marrë më në fund një përgjigje.

Prandaj puna e këtij grupi nuk matet vetëm me numrin e arrestimeve apo me numrin e lokacioneve të zbuluara.

Vlera e saj qëndron edhe te fakti se një ekip prej vetëm pesë zyrtarësh, me mbështetjen dhe drejtimin e strukturës së Krimeve të Luftës, ka arritur që nga informacionet e mbledhura në heshtje të çojë hetimin deri nën tokën ku dyshohet se për vite të tëra ishte fshehur një pjesë e së vërtetës së luftës.

Në raste të tilla, profesionalizmi policor nuk ka nevojë për shumë zhurmë.

Rezultati flet vetë, disa të dyshuar të arrestuar, tri varreza të zbuluara dhe mbetje mortore të 23 personave të nxjerra në dritë.

Tashmë i takon ekspertizës forenzike dhe organeve të drejtësisë të përcaktojnë identitetin e viktimave, përgjegjësitë individuale dhe të vërtetën e plotë për atë që ka ndodhur.

Ndërsa për grupin që punoi në këtë rast, ndoshta përmbledhja më e drejtë është edhe më e thjeshta. Pesë policë, një hetim i gjatë, tri varreza, njëzet e tre jetë që, pas dekadash, mund të marrin sërish emër.