Emri i Agim Jeminit, 66-vjeçarit që u kap të dielën nga Policia pasi u ndal për përdorimin e telefonit gjatë vozitjes dhe rezultoi me urdhër-arrest aktiv për 250 ditë burg, nuk është i panjohur për policinë.
Sinjali ka siguruar të dhëna për së paku dy raste të mëhershme ku emri i tij figuron në rrethana krejt të ndryshme – një herë si i dyshuar, e më vonë si viktimë.
Rasti më i hershëm daton në vitin 2022 dhe lidhej me dyshimet për një mashtrim me një pronë në vlerë 100 mijë euro.
Sipas të dhënave të rastit, një qytetar kishte raportuar se në nëntor të vitit 2020 kishte blerë nga Jemini një pronë të paluajtshme – ndërtesë – për 100 mijë euro.
Pretendimi ishte se e njëjta pronë më pas ishte shitur nga Jemini edhe te një person i tretë, në prill të vitit 2021, kësaj radhe për 150 mijë euro, duke iu bartur atij edhe pronësia.
Rasti ishte denoncuar në Policinë e Kosovës në gusht të vitit 2022.
Pas veprimeve hetimore, më 26 janar 2023, Jemini ishte siguruar nga Policia, ishte intervistuar në praninë e avokatit mbrojtës dhe, me vendim të Prokurorit të Shtetit, ishte dërguar në mbajtje.
Por rreth një vit më vonë, emri i tij do të shfaqej sërish në deskun e policisë, këtë herë jo si i dyshuar, por si viktimë e një rrëmbimi të dyshuar.
Më 26 shkurt 2024, Policia kishte marrë informacion se Jemini dyshohej se po mbahej kundër vullnetit të tij në një zonë malore në periferi të Prishtinës.
Sipas deklarimit që Jemini kishte dhënë më vonë në Polici, ai ishte takuar me një person dhe, pasi kishte hipur në veturën e tij, pretendohet se pa pëlqimin e tij ishte dërguar në zonën malore afër fshatit Zllatar.
Atje, sipas deklaratës së tij, ishte mbajtur për rreth një orë dhe ishte kanosur lidhur me një borxh që pretendohej se ia kishte personit të dyshuar.
Jemini më pas ishte liruar dhe ishte paraqitur vetë në Stacionin Policor Jugu.
Pas veprimeve hetimore, Policia kishte siguruar më 4 mars 2024 praninë e personit të dyshuar. Pas intervistimit dhe konsultimit me Prokurorin, rasti ishte cilësuar “Rrëmbim”, ndërsa i dyshuari ishte ndaluar për 48 orë.
Tash, më shumë se dy vjet më vonë, Jemini është rikthyer në evidencat policore.
Këtë herë gjithçka nisi nga një shkelje në trafik.
Më 24 gusht, policët e ndaluan në segmentin Bresje–Veternik, pasi dyshohet se po përdorte telefonin gjatë vozitjes së një Volkswagen Golf.
Por kontrolli rutinor zbuloi se ndaj tij ekzistonte një urdhër-arrest aktiv i Gjykatës Themelore në Prishtinë, me dënim prej 250 ditësh.
Jemini është arrestuar dhe dërguar në Qendrën e Paraburgimit në Hajvali.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.