Një ngjarje tragjike ka ndodhur pas mesnatës në Mitrovicë, ku një person është gjetur pa shenja jete brenda një lokali në rrugën “Xhafer Deva”, raporton Sinjali.

Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se bëhet fjalë për Pjetër Dedajn, 55 vjeçar.

Rasti është raportuar rreth orës 00:15, pasi një person i afërt me të ndjerin e ka gjetur atë të shtrirë në ambientet e lokalit dhe ka njoftuar autoritetet.

Njësitë policore dhe ekipi mjekësor kanë dalë menjëherë në vendngjarje, ku mjekët kanë konstatuar vdekjen e Dedajt.

Në lokacion kanë dalë edhe hetuesit rajonalë dhe Forenzika, të cilët kanë kryer ekzaminimet e nevojshme.

Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, në vendngjarje është gjetur dhe sekuestruar një armë e tipit Zoraki, së bashku me municion.

Për rastin është njoftuar Prokurori kujdestar, i cili ka urdhëruar inicimin e rastit si “Vetëvrasje”, ndërsa trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.

Rrethanat e plota të kësaj ngjarjeje tragjike mbeten objekt i hetimeve.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.