Korporata Energjetike e Kosovës ka bërë të ditur përmes një postimi në rrjetin social Facebook se një punonjës ka humbur jetën për shkak të kontaktit me tension elektrik.

“Me dhimbje të thellë njoftojmë se sot, gjatë kryerjes së detyrave të punës, punonjësi i Korporatës Energjetike të Kosovës, Arbenit Ahmeti, ka pësuar një aksident të rëndë. Sipas informatave fillestare, gjatë angazhimit në transportin dhe zhvendosjen e kabllove 6 kV, ai ka rënë në kontakt me tensionin elektrik dhe ka pësuar lëndime të rënda”, thuhet në njoftimin e KEK.

Tutje thuhet se menjëherë pas ngjarjes janë ndërmarrë veprimet emergjente dhe punonjësi është dërguar për trajtim mjekësor në Ambulancën e Obiliqit. Pavarësisht përpjekjeve të stafit mjekësor, fatkeqësisht ai nuk ka arritur t’u mbijetojë lëndimeve të marra.

KEK-u ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta familjes Ahmeti, të afërmve, kolegëve dhe të gjithë atyre që e njohën të ndjerin.

Organet kompetente janë duke trajtuar rastin dhe rrethanat e aksidentit do të sqarohen në përputhje me procedurat përkatëse.

I përjetshëm qoftë kujtimi për Arbenitin.