Një operacion policor i koduar “Muzgu” është zhvilluar në Kçiq të Madh të Mitrovicës, ku Policia ka sekuestruar mbi 110 gramë substancë të dyshuar kokainë, armë, municion, para dhe prova të tjera, ndërsa një person ka përfunduar në ndalim për 48 orë, mëson ekskluzivisht Sinjali.

Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se i dyshuari është Burim Aliu, 36-vjeçar.

Operacioni është zhvilluar më 7 shtator nga hetuesit e antidrogës në Mitrovicë, në koordinim me Prokurorinë Themelore në Mitrovicë dhe me asistimin e Njësisë së Reagimit të Shpejtë dhe K-9.

Në kuadër të operacionit, Policia ka kontrolluar një shtëpi dhe një lokal “Free Shop” në Kçiq të Madh.

Gjatë bastisjes janë gjetur dhe sekuestruar pesë qese me 110.6 gramë substancë të dyshuar kokainë, një revole M57 e kalibrit 7.62 mm me dy karikatorë, një pushkë gjuetie “Magnum Karatay”, si dhe municion të kalibrave të ndryshëm.

Policia ka sekuestruar po ashtu një peshore digjitale, 150 euro, 6 mijë dinarë serbë, dy radiolidhje dhe një shufër metalike me mbishkrimin “POLIC”.

I dyshuari nuk është gjetur në shtëpi në momentin kur është kryer kontrolli.

Megjithatë, rreth orës 22:10, Aliu është paraqitur në zyrat e hetuesve të antidrogës, në prani të avokatit mbrojtës.

Pas konsultimit me Prokurorin kujdestar, ndaj tij janë iniciuar rastet për “Blerjen, posedimin, shpërndarjen dhe shitjen e paautorizuar të narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” dhe “Mbajtjen në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Me vendim të Prokurorit, 36-vjeçari është ndaluar për 48 orë, ndërsa hetimet lidhur me rastin po vazhdojnë.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.