Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka reaguar pas kritikave të ditëve të fundit ndaj ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara, të miratuara nga Kuvendi i Kosovës.

OVL e UÇK-së i ka cilësuar reagimet si “të nxituara” dhe “të pabazuara në një shqyrtim serioz juridik”, duke thënë se deri më tani nuk është bërë publike ndonjë analizë juridike që argumenton se ndryshimet janë të pazbatueshme ose në kundërshtim me detyrimet ndërkombëtare të Kosovës.

Sipas OVL-së, në vend të argumenteve juridike, debati publik është përqendruar në polemika, interpretime të njëanshme dhe qëndrime politike.

Organizata ka thënë se refuzon të besojë se reagimet e fundit kanë për qëllim shkurajimin e qytetarëve që kanë protestuar për drejtësi, por ka shtuar se mënyra dhe koha e këtyre reagimeve krijojnë një përshtypje të tillë.

“Ne, kategoritë e dala nga lufta e UÇK-së, besojmë dhe jemi të bindur se ndryshimet e miratuara përbëjnë një hap të rëndësishëm për ta vendosur Gjykatën Speciale në binarët e duhur të drejtësisë”, thuhet në reagim.

OVL ka kërkuar që ata që kundërshtojnë ndryshimet t’i argumentojnë qëndrimet e tyre me fakte, dispozita konkrete dhe arsyetim juridik, e jo me deklarime politike.

“Kushdo që pretendon të kundërtën, ka përgjegjësinë ta argumentojë qëndrimin e vet me fakte, dispozita konkrete dhe arsyetim juridik, jo me deklarime politike”, thuhet më tej.

Në fund, OVL e UÇK-së ka theksuar se bashkëpunimi i Kosovës me drejtësinë ndërkombëtare nuk nënkupton heqje dorë nga e drejta për të kërkuar drejtësi të paanshme dhe respekt për luftën çlirimtare.