Një rast i dyshuar i dhënies së ryshfetit është zbuluar në Dragash, ku një person dyshohet se ka tentuar ta bindë një mbikëqyrës të Parkut Nacional që të mos procedonte një rast të prerjes ilegale të pyllit.

Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se rasti është raportuar më 6 tetor, pasi mbikëqyrësi S.K, derisa ishte në kryerje të detyrës, kishte hasur në të dyshuarin Gafurr Duljmen.

Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, i dyshuari dyshohet se i ka thënë mbikëqyrësit se “duhet ta tejkalojmë disi këtë çështje”, pasi një punëtor i tij kishte prerë dru një ditë më herët brenda Parkut Nacional.

Më pas, sipas dyshimeve hetimore, ai i kishte hedhur 20 euro në automjet dhe ishte larguar.

Mbikëqyrësi kishte njoftuar një patrullë policore, ndërsa më pas, gjatë një takimi tjetër me të dyshuarin, kishte tentuar t’ia kthente paratë duke i thënë se kjo formë nuk lejohej.

Por sipas të dhënave të rastit, i dyshuari dyshohet se i ka hedhur edhe 20 euro të tjera, duke e çuar shumën në 40 euro.

Paratë janë sekuestruar, së bashku me një telefon Samsung Galaxy A16.

Pas intervistimit, i dyshuari dyshohet se ka pranuar se kishte dhënë ryshfet, ndërsa me vendim të Prokurorit të Shtetit është ndaluar për 48 orë.

Rasti po hetohet për veprën penale “Dhënia e ryshfetit”, ndërsa rasti i prerjes ilegale të pyllit po trajtohet ndaras nga Policia në Dragash.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.