Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë më 7 tetor një plantacion me mollë në fshatin Klinë e Poshtme të Skenderajt, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale.

Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se pas raportimit të zjarrit, njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku kanë kontaktuar pronarin e plantacionit, A.R.

Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, flakët kanë përfshirë një sipërfaqe prej rreth 5 hektarësh të mbjellë me mollë, ndërsa pronari dhe disa banorë kanë intervenuar fillimisht vetë, deri në mbërritjen e zjarrfikësve.

Zjarrfikësit kanë arritur ta lokalizojnë zjarrin, por dëmet e shkaktuara janë të mëdha.

Sipas deklarimit të pronarit dhe të dhënave fillestare, janë dëmtuar rreth 10 mijë trupa molle, rreth 12-vjeçare, sistemi i ujitjes në rreth pesë hektarë, si dhe sistemi kundër breshrit në një sipërfaqe prej rreth dy hektarësh.

Dëmi material, sipas vlerësimit fillestar të ankuesit, mund të arrijë rreth 185 mijë deri në 200 mijë euro.

Për momentin nuk është identifikuar ndonjë person i dyshuar dhe nuk dihet se çfarë e ka shkaktuar zjarrin.

Për rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit, me udhëzim të të cilit është iniciuar rasti për “Shkaktim të rrezikut të përgjithshëm”, ndërsa hetimet po vazhdojnë.