Një 46-vjeçar është arrestuar dhe më pas është liruar në procedurë të rregullt, pasi gjatë hetimeve për një rast kanosjeje në fshatin Pojatë të Ferizajt, policia ka gjetur te ai një armë zjarri, dy karikatorë dhe 42 fishekë.
Rasti është raportuar më 6 shtator në Stacionin Policor në Ferizaj dhe dyshohet se kishte nisur pas një mosmarrëveshjeje mes fqinjëve.
Njësitet policore kanë dalë në vendin e ngjarjes, kanë identifikuar personat e përfshirë dhe i kanë shoqëruar në stacion policor, ku janë intervistuar.
Gjatë hetimeve, më 7 shtator, policia ka siguruar informacione se i dyshuari me inicialet B.A. posedonte armë zjarri.
Me autorizim të Prokurorit të Shtetit, policia ka kryer kontroll në shtëpinë e të dyshuarit në Pojatë, ku ka sekuestruar një pistoletë, dy karikatorë dhe 42 fishekë.
Gjatë verifikimit është konstatuar se leja e armës kishte skaduar në nëntor të vitit 2025.
Për këtë arsye, me autorizim të prokurorit është iniciuar rast edhe për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Pas intervistimit në prani të avokatit mbrojtës, i dyshuari është liruar dhe rasti do të procedohet në procedurë të rregullt.