Policia e Kosovës ka ndërmarrë masa shtesë në hyrje të rrugëve të Prishtinës, me qëllim të parandalimit të vozitjeve të rrezikshme dhe ruajtjes së sigurisë në trafik pas protestës së mbajtur mbrëmë në kryeqytet.
Sipas Policisë, pas përfundimit të protestës së 18 shtatorit janë evidentuar raste të defilimeve me automjete, vozitjeve të rrezikshme dhe daljeve mbi vetura, veprime që, sipas saj, kanë paraqitur rrezik për pjesëmarrësit në trafik dhe kanë vazhduar deri në orët e vona pas mesnatës.
Për këtë arsye, Policia ka shtuar angazhimet gjatë protestës së sotme, duke ndaluar vozitjet e rrezikshme dhe veprimet që mund të rrezikojnë jetën e qytetarëve.
Policia ka theksuar se masat nuk kanë pasur për qëllim pengimin e protestës apo kufizimin e qarkullimit të automjeteve që respektojnë rregullat e trafikut.
“Policia e Kosovës nuk ka pasur asnjëherë për qëllim që të ndalojë apo të pengojë pjesëmarrjen në protestë, e as të pengojë qarkullimin e automjeteve të cilat drejtohen sipas rregullave të trafikut”, thuhet në njoftim.
Policia ka përsëritur se e njeh të drejtën e qytetarëve për protestë të qetë dhe demokratike, ndërsa ka falënderuar qytetarët për bashkëpunimin.