Një konflikt mes dy fqinjëve në Prishtinë ka përfunduar me lëndime të rënda trupore për njërin dhe arrestimin e tjetrit, mëson Sinjali.

Rasti ka ndodhur më 18 gusht, rreth orës 15:00, në rrugën “Nikolla Teslla” në Prishtinë.

Sipas informacioneve që ka mësuar Sinjali, në rast janë përfshirë Selahudin Ajeti rreth 68-vjeçar dhe fqinji i tij, Ylber Kotorri 70-vjeçar.

Pas raportimit për rrahje, njësitet policore kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku kanë takuar Ajetin, i cili më pas është shoqëruar në stacion policor dhe është intervistuar në praninë e avokatit mbrojtës.

Ajeti ka dhënë versionin e tij për atë që kishte ndodhur, duke pretenduar para hetuesve se fqinji i tij e kishte sulmuar me pistoletë. Sipas deklarimit të tij, ai kishte reaguar duke e goditur Kotorrin me kokë, pas së cilës ky i fundit kishte rënë dhe ishte lënduar në disa dërrasa që ndodheshin në shtëpi.

Edhe Ajeti ka pranuar trajtim mjekësor.

Ndërkohë, Kotorri është dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ku ka vazhduar trajtimin për shkak të lëndimeve. Deri në momentin e raportimit policor, gjendja e tij nuk kishte mundësuar që të intervistohej nga hetuesit.

Pretendimi për armën ka aktivizuar edhe hetuesit, të cilët kanë kryer kontroll në veturën ku dyshohej se mund të ndodhej pistoleta. Gjatë kontrollit nuk është gjetur asnjë armë apo send tjetër i dyshimtë.

Pas konsultimit me Prokurorin kujdestar, rasti është iniciuar si “Lëndim i rëndë trupor”, ndërsa ndaj Selahudin Ajetit është caktuar ndalimi prej 48 orësh.

Ai është dërguar në mbajtje në Stacionin Policor, ndërsa hetimet vazhdojnë për të sqaruar rrethanat e plota të konfliktit.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.