Një përleshje fizike mes dy personave ka ndodhur sonte rreth orës 20:00, te Rrethi i Flamurit në Prishtinë.

Rastin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Enis Pllana.

Sipas informatave fillestare të Policisë, të dy personat e përfshirë në përleshje kanë pësuar lëndime, ndërsa dyshohet se gjatë incidentit janë përdorur mjete të mprehta.

“Sipas informatave fillestare, dy personat kanë pësuar lëndime (dyshohet nga mjete të mprehta) dhe janë dërguar për trajtim mjekësor”, ka thënë Pllana.

Të lënduarit janë dërguar për trajtim mjekësor, ndërsa njësitet policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe po merren me hetimin e rastit.

Për momentin nuk janë bërë të ditura rrethanat që kanë çuar deri te përleshja, ndërsa Policia pritet të japë detaje të tjera pas përfundimit të veprimeve fillestare hetimore.