Një përleshje mes disa personave ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të së shtunës në Varagë të Poshtme të Zubin Potokut, ku një person ka mbetur i lënduar dhe është dëmtuar edhe një veturë, raporton ekskluzivisht Sinjali.

Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se dy personat që po hetohen si të dyshuar për rastin janë Milos Janicijevic, 26-vjeçar, dhe Marko Janicijevic, 20-vjeçar.

Rasti është raportuar rreth orës 02:00, pasi një qytetar ka njoftuar Policinë se në fshat kishte shpërthyer një përleshje mes disa personave.

Njësitë policore kanë dalë në vendngjarje, ku kanë hasur të lënduarin, Milos Stanic, 32-vjeçar, ndërsa dy të dyshuarit ishin larguar nga lokacioni.

Stanic është dërguar për trajtim mjekësor dhe, sipas të dhënave të rastit, ka pësuar lëndime të lehta trupore. Pas trajtimit ai është intervistuar nga Policia.

Gjatë incidentit është dëmtuar edhe një automjet, konkretisht drita e përparme e djathtë dhe parafangoja.

Policia më pas ka kontaktuar përmes telefonit dy të dyshuarit dhe u ka kërkuar që të paraqiten në Stacionin Policor në Zubin Potok.

Janicijevic dhe Janicijevic i janë përgjigjur thirrjes dhe kanë shkuar në stacion, por sipas informacioneve të Sinjalit, që të dy ishin nën ndikimin e alkoolit.

Për këtë arsye, policët kanë pritur derisa t’u kalonte ndikimi i alkoolit dhe vetëm më pas kanë vazhduar me intervistimin e tyre lidhur me incidentin.

Për rastin është njoftuar edhe Prokurori i Shtetit, me udhëzim të të cilit janë iniciuar rastet për “Lëndim të lehtë trupor” dhe “Asgjësim apo dëmtim të pasurisë”.

Pas përfundimit të procedurave policore, dy të dyshuarit janë liruar në procedurë të rregullt, ndërsa rasti vazhdon të trajtohet nga organet kompetente.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.