Sinjali mëson se një përleshje mes dy personave ka ndodhur në orët e hershme të 23 shtatorit në rrugën “Majanca” në Fushë Kosovë, ndërsa motivi dyshohet se lidhet me mosmarrëveshje rreth çështjeve të drogës.
Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se bëhet fjalë për Mirsad Mukulanin, 35-vjeçar, dhe Bashkim Ismajlajn, 33-vjeçar.
Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, rreth orës 02:30, Mukulani dyshohet se e ka goditur me grusht Ismajlajn, duke i shkaktuar lëndime trupore.
Në vazhdim të përplasjes, Ismajlaj dyshohet se ka goditur me grusht xhamin e automjetit të Burim Kerollit, 44-vjeçar, duke e dëmtuar atë.
Personave të lënduar u është dhënë ndihmë mjekësore.
Burimet bëjnë me dije se Mukulani është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës dhe, pas konsultimit me Prokurorin kujdestar, ndaj tij është caktuar masa e ndalimit për 48 orë. Ai është dërguar në Qendrën e Mbajtjes.
Ndërkohë, për Ismajlajn ka ekzistuar edhe një urdhëresë për paraqitje në seancë, e cila është realizuar nga njësia për ekzekutimin e urdhëresave.
Rasti po trajtohet për veprat penale “Lëndim i lehtë trupor” dhe “Asgjësim apo dëmtim i pasurisë”, ndërsa hetimet po vazhdojnë.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.