Një kontroll rutinë policor pas mesnate në Mazgit të Obiliqit ka çuar në sekuestrimin e një arme dhe municioni, pasi gjatë kontrollit të një veture është konstatuar se leja për armën kishte skaduar.

Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se rreth orës 00:30 të 1 tetorit, në një pikë kontrolli është ndaluar një Audi i zi, të cilin po e drejtonte Arxhent Potërqoj.

Gjatë kontrollit të veturës, në hapësirën e dokumenteve pranë shoferit është gjetur një pistoletë me karikator dhe 11 fishekë të kalibrit 9×19 mm.

Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, bashkë me armën është gjetur edhe dokumentacioni përkatës, por leja e armës kishte afat të skaduar.

I dyshuari kishte poseduar leje për shenjëtari, por edhe ajo rezultonte jashtë afatit të vlefshmërisë.

Arma, karikatori dhe municioni janë sekuestruar, ndërsa 32-vjeçari është shoqëruar në stacion policor dhe është intervistuar lidhur me rastin.

Një element që pritet të verifikohet më tej lidhet me 11 fishekët, të evidentuar si “fishekë zyrtarë”.

Sipas burimeve, është tentuar të kontaktohet edhe Inspektorati Policor për sqarime të mëtejshme lidhur me këtë pjesë të rastit, por kontakti nuk është realizuar në atë moment.

Pas konsultimit me Prokurorin e Shtetit, rasti është iniciuar për “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

I dyshuari është liruar në procedurë të rregullt, ndërsa hetimet dhe verifikimet lidhur me rastin po vazhdojnë.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.