Një ngjarje e pazakontë dhe shqetësuese ka ndodhur mbrëmjen e së enjtes në Lipjan, ku një 69-vjeçare është goditur në gjoks nga një plumb “qorr” teksa po qëndronte në oborrin e shtëpisë së saj.
Sinjali mëson se rasti ka ndodhur më 20 gusht, rreth orës 21:00, ndërsa Policia është vënë në dijeni pasi Emergjenca në Lipjan ka njoftuar për një person të lënduar.
Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se viktima është N.N., rreth 69-vjeçare.
Njësia policore ka dalë menjëherë në lokacion, ku ka kontaktuar me 69-vjeçaren dhe ka marrë informacionet e para për rrethanat e incidentit.
Sipas deklarimit fillestar të saj, N.N po qëndronte në oborrin e shtëpisë kur është goditur papritur nga një predhë në anën e djathtë të gjoksit.
Dyshohet se bëhet fjalë për një plumb të shkrepur nga një lokacion tjetër, ndërsa deri në këtë fazë nuk dihet se nga ka ardhur predha dhe as kush e ka shkrepur armën.
69-vjeçares i është dhënë trajtimi i parë mjekësor në Lipjan, ndërsa më pas është transferuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës për trajtim të mëtejshëm.
Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, për shkak të lëndimit në pjesën e gjoksit, ajo është shtruar në Klinikën e Kirurgjisë Torakale, ku po vazhdon trajtimin.
Rasti është iniciuar si “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”, ndërsa personi që dyshohet se ka shkrepur armën mbetet ende i paidentifikuar.
Tashmë mbetet në dorën e hetuesve të zbulojnë nga erdhi plumbi që përfundoi në oborrin e një shtëpie dhe goditi një grua që, deri në atë moment, thjesht po qëndronte në pronën e saj.
Hetimet për zbardhjen e plotë të rastit po vazhdojnë.