Një revolver i vjetër, i mbuluar nga ndryshku dhe me katër fishekë të mbetur brenda, është zbuluar gjatë një kontrolli policor në një shtëpi në Novobërdë. Pronari ka deklaruar se armën e kishte gjetur gjatë renovimit të shtëpisë dhe se ajo i kishte përkitur gjyshit të tij të ndjerë.

Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se bëhet fjalë për Goran Stoshiqin rreth 54-vjeç, nga fshati Bostan i Novobërdës, ndaj të cilit është iniciuar rast penal për posedim të paautorizuar të armëve.

Kontrolli është realizuar më 21 tetor 2026, në bazë të një urdhërese gjyqësore, ndërsa bastisja ka zgjatur nga ora 09:40 deri në 10:20.

Gjatë kontrollit, zyrtarët policorë kanë gjetur një revolver të korroduar, me katër fishekë brenda.

Gjendja e armës ishte e tillë që nuk mund të dalloheshin të dhënat identifikuese dhe as numri serik.

Madje, për shkak të ndryshkut, policët nuk kanë arritur t’i nxjerrin katër fishekët nga revolveri.

I pyetur për prejardhjen e armës, Stoshiq ka deklaruar se e kishte gjetur rreth një apo dy muaj më parë, gjatë punimeve për renovimin e shtëpisë.

Sipas deklarimit të tij, revolveri kishte qenë pronë e gjyshit të ndjerë dhe ishte zbuluar rastësisht gjatë renovimit.

Pavarësisht këtij shpjegimi, Policia ka sekuestruar armën dhe municionin, duke lëshuar edhe dokumentacionin përkatës të sekuestrimit.

Për rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit, pas konsultimit me të cilin është iniciuar procedurë për veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Çështja do t’i përcillet Prokurorisë Themelore në procedurë të rregullt.

Ndërkohë, mbetet të sqarohet prejardhja e plotë e armës dhe statusi i saj ligjor.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.