Një aksion policor është zhvilluar mbrëmjen e së shtunës në fshatin Rashiq të Pejës, ku dyshohet se në një lokal po zhvillohej veprimtari e kundërligjshme e bixhozit. Bastisja ka rezultuar jo vetëm me sekuestrimin e mjeteve për lojëra pokeri, por edhe me gjetjen e një arme automatike dhe municionit.

Sinjali mëson se në rast janë përfshirë Astrit Bezera, rreth 44-vjeçar , Muhamet Bezera, rreth 20-vjeçar dhe Smajl Bezera, rreth 27-vjeçar, dy prej të cilëve kanë përfunduar në ndalim policor.

Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, Sektori Rajonal i Hetimeve në Pejë kishte pranuar informacione se në një shitore në pronësi të Astrit Bezerës, në fshatin Rashiq, dyshohej se po zhvillohej veprimtari e kundërligjshme e organizimit të bixhozit.

Pas sigurimit të autorizimit nga Prokurori kompetent i Prokurorisë Themelore në Pejë, rreth orës 22:50, Policia ka bastisur lokalin.

Gjatë kontrollit janë gjetur dhe sekuestruar një kuti me çipa për organizimin e lojërave të pokerit, një armë automatike pa numër serik, si dhe 10 fishekë.

Në cilësinë e provave materiale është sekuestruar gjithashtu një çantë dore, brenda së cilës janë gjetur një brisk dhe një faturë.

Tre të dyshuarit janë shoqëruar në Polici për intervistim.

Me vendim të Prokurorit të Shtetit, Astrit Bezera dhe Muhamet Bezera janë ndaluar për 48 orë, ndërsa Smajl Bezera është liruar në procedurë të rregullt.

Rasti është iniciuar nën dyshimet për “Organizimin e skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm” dhe “Mbajtjen në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, ndërsa hetimet po vazhdojnë.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.