Një 31-vjeçar që kërkohej nga organet e drejtësisë është arrestuar pasditen e së enjtes në zemër të Prishtinës, pasi Policia e ka ndaluar në sheshin “Adem Jashari” dhe ka realizuar urdhëresën aktive ndaj tij, raporton ekskluzivisht Sinjali.
Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se personi i arrestuar është Gëzim Talla rreth 31-vjeçar, i cili është ndaluar më 27 gusht, rreth orës 16:30.
Ndaj Tallës ishte aktive një urdhëresë e Gjykatës Themelore në Prishtinë, në lidhje me veprën penale “Vjedhje e rëndë”.
Pas arrestimit, rasti është koordinuar me Prokuroren kujdestare të Departamentit për Krime të Rënda, me vendim të së cilës 31-vjeçari është dërguar në Qendrën e Mbajtjes.
Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, procedurat ndaj tij vazhdojnë sot.
Talla pritet që në orën 09:00 të dërgohet në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, ku do të intervistohet lidhur me rastin për të cilin ishte shpallur në kërkim.
Pas intervistimit në Prokurori pritet të vendoset për hapat e mëtejmë proceduralë ndaj tij.
Sinjali do t’ju mbajë të informuar për zhvillimet e reja lidhur me rastin.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.