Policia e Kosovës ka kërkuar ndihmën e qytetarëve për identifikimin dhe lokalizimin e një personi të dyshuar për vjedhje në Malishevë.

Sipas njoftimit të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Gjakovë, rasti është duke u hetuar nga Sektori i Hetimeve i Stacionit Policor në Malishevë, me autorizim të Prokurorit të Shtetit.

Personi i dyshuar dyshohet se më 12 maj 2026, në fshatin Guriq të Komunës së Malishevës, ka kryer veprën penale “Vjedhje”. Pavarësisht veprimeve të ndërmarra deri më tani, policia thotë se identiteti i tij ende nuk është zbuluar.

Policia ka ftuar qytetarët që kanë ndonjë informacion që mund të ndihmojë në identifikimin apo lokalizimin e të dyshuarit, i cili shihet në fotografinë e publikuar nga autoritetet, të kontaktojnë Policinë e Kosovës.

Informacionet mund të dërgohen përmes numrit emergjent 192, në stacionin policor më të afërt ose përmes adresës zyrtare elektronike të Policisë së Kosovës.

Policia ka bërë të ditur se të gjitha informacionet do të trajtohen me konfidencialitet të plotë dhe në përputhje me legjislacionin në fuqi.