Një kontroll policor te Rrethi i Fontanës në Prishtinë ka përfunduar me sekuestrimin e një pistolete dhe municioni, pasi arma u zbulua e fshehur në një çantë nën ulësen e shoferit të një veture.
Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se më 16 tetor, rreth orës 21:20, një njësi policore ka ndaluar një veturë Golf, ngjyrë të zezë, të cilën po e drejtonte Korab Hasani, ndërsa në ulësen e pasagjerit ndodhej Aulon Ademi, rreth 24-vjeçar.
Fillimisht, dy personat kanë deklaruar se nuk posedonin asgjë të paligjshme. Mirëpo, gjatë kontrollit të veturës, policët kanë gjetur një çantë nën ulësen e shoferit, në të cilën ndodheshin një pistoletë e kalibrit 9 mm dhe pesë fishekë.
Sipas informatave të siguruara nga Sinjali, çanta i përkiste pasagjerit, Aulon Ademit, i cili është trajtuar në cilësinë e të dyshuarit.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë hetuesit policorë dhe tekniku i kriminalistikës, të cilët kanë sekuestruar armën dhe municionin.
Ademi është shoqëruar në stacion policor, ku është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës të caktuar sipas detyrës zyrtare. Ndërkohë, shoferi i veturës, K.H, është intervistuar në cilësinë e dëshmitarit.
Pas konsultimit me Prokurorin e Shtetit, rasti është iniciuar për veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll apo posedim të paautorizuar të armëve”.
Pavarësisht gjetjes së armës dhe municionit në çantën që i atribuohet atij, Aulon Ademi është liruar në procedurë të rregullt, ndërsa rasti mbetet nën hetime.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.