Një kontroll rutinor i Policisë në Istog ka përfunduar me arrestimin e një 26-vjeçari, pasi gjatë kontrollit atij i është gjetur një armë në brez, merr vesh Sinjali.

Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se i dyshuari është Nderim Beqiraj, 26 vjeçar, i cili po lëvizte me një automjet të tipit Mercedes kur është ndaluar nga patrulla policore.

Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, rasti ka ndodhur në rrugën “Nëna Terezë” në Istog, rreth orës 22:30.

Gjatë kontrollimit të dokumenteve dhe më pas të 26-vjeçarit, zyrtarët policorë dyshohet se i kanë gjetur në brez një pistoletë Zoraki 917-T, së bashku me tetë fishekë të kalibrit 9 mm.

Arma dhe municioni janë sekuestruar nga Policia, ndërsa Beqiraj është shoqëruar për intervistim.

I dyshuari është marrë në pyetje në prani të avokatit mbrojtës, ndërsa për rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit.

Me urdhër të prokurorit, ndaj tij është iniciuar rast për “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës”, ndërsa Beqirajt i është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.