Një person është arrestuar në Rahovec, nën dyshimin se u ka kërkuar dhe marrë ryshfet pronarëve të bizneseve, në këmbim të moskontrollimit të lokaleve të tyre apo shmangies së ndëshkimeve.
Rasti është zbuluar pasi Policia e Kosovës kishte pranuar informacione se i dyshuari, në periudha të ndryshme kohore, u kishte kërkuar ryshfet bizneseve. Pas pranimit të informacionit, Policia ka nisur menjëherë trajtimin e rastit.
Gjatë hetimeve janë siguruar dëshmi se i dyshuari ka pranuar ryshfet në shuma prej 300 deri në 500 euro, në disa raste të ndara, nga pronarë biznesesh.
“Me të gjitha veprimet e kryera, personi i dyshuar ka konsumuar veprën penale ‘marrja e ryshfetit’ neni 421 i KPRK-së”, thuhet në njoftimin e PK-së.
Të enjten, Policia ka kontrolluar edhe ambientin e punës, si dhe veturat të cilat i dyshuari i kishte nën shfrytëzim.
“Të gjitha veprimet hetimore policore kanë qenë të koordinuara me prokurorin përgjegjës të rastit ku pas intervistës, me aktvendim të prokurorit, i dyshuari është ndaluar për 48 orë dhe nga i njëjti është sekuestruar një telefon celular”.