Prokuroria Themelore në Gjakovë ka bërë të ditura detaje të reja lidhur me rastin e rëndë në fshatin Kërvasari të Malishevës, ku një grua humbi jetën si pasojë e plagëve të marra nga arma e zjarrit.

Sipas Prokurorisë, bashkëshorti i viktimës është i dyshuari për rastin, ndërsa edhe ai ka pësuar plagë të rënda nga arma e zjarrit dhe aktualisht ndodhet në gjendje të rëndë e kritike për jetën.

“Një person i gjinisë femërore, bashkëshortja e personit të dyshuar, si pasojë e plagëve nga arma e zjarrit ka ndërruar jetë në QKUK”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Themelore në Gjakovë.

Ndërkaq, për të dyshuarin, Prokuroria ka bërë të ditur se ai është duke u trajtuar në QKUK.

“Personi i gjinisë mashkullore, po ashtu ka pësuar plagë të rënda nga arma e zjarrit, i cili është dërguar për trajtim mjekësor dhe sipas njoftimit nga QKUK, i njëjti është në gjendje të rëndë dhe kritike për jetën”, thuhet më tej.

Viktima ishte shtatzënë në javën e 34-të. Ajo, pavarësisht masave reanimatore të ndërmarra nga ekipi mjekësor, nuk ka mundur t’u përballojë plagëve dhe ka ndërruar jetë në QKUK.

Prokurori i Shtetit ka dalë në vendin e ngjarjes, ndërsa me urdhër të tij trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për autopsi.

Rasti është iniciuar për veprat penale “Vrasja e rëndë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Prokuroria, në koordinim me Policinë e Kosovës, ka njoftuar se po ndërmerr veprimet e nevojshme për ndriçimin e plotë të rrethanave dhe sigurimin e provave relevante.