Gazeta Sinjali raportoi sot për përleshjen e rëndë që ndodhi pas mesnatës në qendër të Ferizajt, ku një person pësoi lëndime të rënda dhe u transferua për trajtim në QKUK.

Sinjali kishte mësuar identitetin e disa prej personave të dyshuar, ndërsa në atë kohë njëri prej tyre ende nuk ishte lokalizuar nga Policia.

Ndërkohë, Policia e Kosovës ka njoftuar se lidhur me rastin janë arrestuar gjithsej pesë persona të dyshuar, të cilët me vendim të prokurorit janë ndaluar për 48 orë.

Kësisoj, personi që gjatë raportimit të mëngjesit ende nuk ishte lokalizuar, ndërkohë është siguruar nga organet e rendit.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 00:15 të 11 gushtit, në rrugën “12 Qershori”, në hapësirën mes kafiterive “0290 Bar” dhe “Dritarja”, ku Policia ishte alarmuar për një rrahje në zhvillim.

Si pasojë e përleshjes, tre persona kishin pësuar lëndime, ndërsa Sh.A., 33-vjeçar, për shkak të lëndimeve të rënda është transferuar në QKUK në Prishtinë.

Policia ka bërë të ditur se ai aktualisht është duke marrë trajtim mjekësor dhe do të intervistohet nga hetuesit pas stabilizimit të gjendjes së tij shëndetësore.

Lidhur me rastin është njoftuar prokurori i shtetit, i cili ka udhëzuar inicimin e rastit për veprat penale “Vrasje e mbetur në tentativë” dhe “Pjesëmarrje në rrahje”.

Hetuesit policorë po vazhdojnë dhe zgjerojnë hetimet për të identifikuar persona të tjerë që mund të kenë qenë të përfshirë në përleshje.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.