Policia e Kosovës dhe Prokuroria Themelore në Prizren kanë konfirmuar raportimin e Gazetës Sinjali për aksionin e zhvilluar dje në Prizren, ku u arrestuan tre persona të dyshuar për fajde.

Sinjali raportoi ekskluzivisht për aksionin dhe arrestimin e Fadil Selimit, Beqir Selimit dhe Arsim Doganit, ndërsa tashmë Policia ka bërë të ditura detajet e operacionit dhe ka konfirmuar se ndaj tyre është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.

Operacioni është realizuar nga Sektori Rajonal i Hetimeve i Drejtorisë Rajonale të Policisë në Prizren, në bashkëpunim me Drejtorinë për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda dhe Prokurorinë Themelore në Prizren.

Sipas Policisë, tre të dyshuarit dyshohet se janë përfshirë në veprën penale “fajde”, ndërsa ndaj tyre janë ndërmarrë veprime hetimore për një periudhë të caktuar.

I dyshuari Beqir Selimi, përveç veprës penale të “fajdesë”, dyshohet edhe për “shkaktim të rrezikut të përgjithshëm” dhe “aksident trafiku me lëndime”.

Sipas Policisë, gjatë tentimit për t’i shmangur arrestimit, ai ka goditur me veturë një zyrtar policor dhe një qytetare, duke i lënduar ata.

Policia ka bërë të ditur se të dyshuarit, lidhur me këtë rast, në vazhdimësi kanë ushtruar presion ndaj viktimës me qëllim të marrjes së interesit nga veprimtaria e fajdesë, duke e detyruar atë të veprojë në dëm të pasurisë së tij.

Si rezultat i veprimeve të dyshuara të kundërligjshme, viktimës i janë shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale.

Gjatë operacionit janë kontrolluar vendbanimet e të dyshuarve në tri lokacione të ndryshme në komunën e Prizrenit, ku janë sekuestruar dëshmi të ndryshme materiale, të cilat do të përdoren në procedurën penale.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.