Gazeta Sinjali raportoi mbrëmë për rastin e sulmit fizik ndaj një infermiereje të QKMF-së në Prishtinë, e cila ishte sulmuar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare në lagjen Kalabria.

Pas raportimit të Sinjalit, ka reaguar Drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës, Bujar Gashi, i cili e ka dënuar fuqishëm rastin, duke e cilësuar të papranueshëm çdo sulm ndaj profesionistëve shëndetësorë gjatë ushtrimit të detyrës.

“Sulmi ndaj profesionistëve që janë në detyrë për të ndihmuar dhe për t’u kujdesur për qytetarët është i papranueshëm dhe nuk do të tolerohet në asnjë rrethanë”, thuhet në reagimin e Gashit.

Rasti kishte ndodhur më 26 shtator, rreth orës 12:00, në rrugën “Pandeli Sotiri”, kur infermierja, së bashku me ekipin mjekësor, kishte shkuar në shtëpinë e një pacienti për t’i ofruar trajtim dhe për t’ia pastruar një plagë.

Sipas informacioneve të siguruara nga Sinjali, pas përfundimit të intervenimit mjekësor, mes infermieres dhe të dyshuarit kishte nisur fillimisht një konflikt verbal, i cili më pas dyshohet se kishte eskaluar në sulm fizik.

Në vendin e ngjarjes kishte qenë edhe një infermiere tjetër, e cila ishte intervistuar në cilësinë e dëshmitares.

Gashi ka bërë të ditur se rasti është raportuar dhe po trajtohet nga Policia e Kosovës dhe organet kompetente.

“Drejtoria e Shëndetësisë e konsideron këtë një rast të izoluar dhe thekson se shërbimet shëndetësore në terren do të vazhdojnë normalisht”, thuhet në reagim.

Sipas Drejtorisë së Shëndetësisë, siguria dhe dinjiteti i profesionistëve shëndetësorë mbeten të panegociueshme.

Ndërkohë, pas konsultimit me Prokurorin e Shtetit, rasti është iniciuar si “Sulm ndaj personit zyrtar”, ndërsa i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.

Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit janë duke vazhduar.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.