Kosova ka kaluar edhe një natë të ngarkuar me të shtëna, përleshje, armë, drogë, dhunë në familje dhe zjarre.
Vetëm gjatë orëve të fundit, në disa qytete janë regjistruar incidente që kanë kërkuar ndërhyrjen e policisë, hetuesve dhe prokurorëve.
Tre persona mbetën të lënduar në Veternik, armë e municion u sekuestruan, dy të rinj u kapën me marihuanë në Podujevë, ndërsa në Pejë e Istog u raportuan raste të rënda të dhunës në familje.
Sinjali ju sjell përmbledhjen e natës.
Veternik – armë dhe thika prapa “Gizzi Grill”, tre të lënduar
Rasti më i rëndë i natës ndodhi në Veternik të Prishtinës.
Rreth orës 04:40, pas një përleshjeje mes disa personave prapa lokalit “Gizzi Grill”, dyshohet se janë përdorur armë zjarri dhe thika.
Tre persona kanë mbetur të lënduar.
Njëri prej tyre është plagosur me armë zjarri në të dy këmbët, një tjetër është lënduar me mjet të mprehtë në kokë dhe këmbë, ndërsa personi i tretë ka pësuar lëndim në krah.
Dy të dyshuar janë ndaluar gjatë largimit në drejtim të Ferizajt, ndërsa janë sekuestruar një pistoletë TT, një thikë dhe një veturë BMW.
Në vendin e ngjarjes janë gjetur edhe tri gëzhoja, dy fishekë dhe dy predha të dëmtuara.
Pejë – kërcënime me thikë brenda familjes, 23-vjeçarja lëndohet
Një rast i rëndë i dhunës në familje është raportuar në Pejë.
Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, një burrë dyshohet se ka kërkuar para nga babai i tij dhe, pasi ky nuk ia ka dhënë, ka marrë një thikë dhe ka kërcënuar familjarët.
Motra e tij, 23-vjeçare, dyshohet se është goditur në hundë dhe më pas është lënduar në dorë me thikë.
Ajo ka marrë trajtim mjekësor dhe ka kërkuar masa ligjore për mbrojtje.
I dyshuari është larguar dhe mbetet në kërkim.
Istog – tenton ta godasë gruan, rrëzon nënën në tokë
Në Gurrakoc të Istogut është raportuar një tjetër rast i dhunës në familje.
Një burrë, i cili dyshohet se ishte në gjendje të dehur, ka tentuar ta godasë bashkëshorten me shuplakë dhe me një shkop druri.
Në të njëjtin incident, ai dyshohet se ka shtyrë nënën e tij, duke e rrëzuar në tokë.
Pas ndërhyrjes së një familjari tjetër, i dyshuari është larguar nga shtëpia dhe ende nuk është lokalizuar.
Podujevë – Audi ndalohet në pikë kontrolli, marihuanë te dy të rinj
Në Podujevë, një pikë kontrolli ka çuar në zbulimin e substancës së dyshuar narkotike te dy të rinj.
Rreth orës 23:30, është ndaluar një Audi i zi në rrugën “Zahir Pajaziti”.
Gjatë kontrollit, te njëri prej tyre janë gjetur 7.45 gramë marihuanë, ndërsa te tjetri 1.30 gramë.
Të dy kanë deklaruar se substancën e kishin blerë për konsum personal dhe janë liruar në procedurë të rregullt.
Istog – pistoletë dhe fishekë në Golf
Po në Istog, gjatë një pike kontrolli, është ndaluar një Golf i drejtuar nga një 36-vjeçar.
Pas verifikimit është konstatuar se ai kishte patentë shoferin të konfiskuar.
Gjatë kontrollit të veturës, në fiokën në anën e pasagjerit është gjetur një pistoletë me gjashtë fishekë të kalibrit 9 mm, ndërsa pranë frenit të dorës janë gjetur edhe nëntë fishekë me gaz.
I dyshuari ka deklaruar se arma ishte e tij dhe se procedura për leje ishte ende në proces.
Rasti është iniciuar për posedim të paautorizuar të armës.
Gjilan – zjarr në shtëpi të pabanuar, digjet edhe një Audi Oldtimer
Në Livoç të Ulët të Gjilanit është raportuar një rast zjarrvënieje.
Zjarri ka përfshirë garazhin në bodrumin e një shtëpie të pabanuar, ku ndodheshin mjete pune, orendi shtëpiake dhe një veturë Audi Oldtimer, e cila është djegur tërësisht.
Shkaktari i zjarrit ende nuk është përcaktuar dhe hetimet po vazhdojnë.
Armë. Thika. Drogë. Dhunë në familje. Zjarre.
Kjo ishte fotografia e natës në Kosovë.
SINJALI 24 – Kur ti flije, ne e përcollëm Kosovën.