Një rast i rëndë dhe tejet i ndjeshëm është regjistruar në orët e para të së enjtes në Ferizaj, ku një vajzë e mitur është dërguar me urgjencë për trajtim mjekësor, pasi dyshohet se kishte konsumuar një sasi të tepërt medikamentesh.

Burimet e Sinjalit brenda Emergjencës bëjnë të ditur se rasti është paraqitur rreth orës 00:56, kur e mitura kishte mbërritur për trajtim dhe stafi mjekësor kishte nisur menjëherë kujdesin ndaj saj.

Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, bëhet fjalë për një vajzë të lindur në vitin 2010, identitetin e së cilës redaksia nuk do ta publikojë për shkak të moshës dhe ndjeshmërisë së rastit.

Nëna e vajzës ka bërë të ditur se e bija dyshohet se kishte konsumuar një sasi të madhe medikamentesh me qëllim që t’i bënte keq vetes.

Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se e mitura prej një kohe përballet me epilepsi, ndërsa sipas deklarimeve fillestare të familjes, vështirësitë që lidhen me gjendjen e saj shëndetësore dyshohet se kishin ndikuar rëndë në gjendjen emocionale të vajzës.

Pas njoftimit për rastin, në Emergjencë kanë mbërritur edhe zyrtarët policorë, ndërsa më pas janë angazhuar edhe hetuesit rajonalë.

Hetuesit kanë kontaktuar me të miturën dhe nënën e saj, por në ato momente, për shkak të rrethanave dhe gjendjes së krijuar, asnjëra nuk ka qenë në gjendje të japë deklaratë.

Fatmirësisht, pas trajtimit të marrë në Emergjencë, gjendja e vajzës ka mundësuar që ajo të lirohet për në shtëpi dhe të kthehet pranë familjes së saj.

Rasti tashmë po trajtohet nga hetuesit rajonalë, të cilët pritet të ndërmarrin veprimet e mëtejshme për sqarimin e të gjitha rrethanave.

Për shkak se në qendër të kësaj ngjarjeje është një fëmijë, Sinjali ka vendosur të mos publikojë emrin, inicialet, vendbanimin apo të dhëna të tjera që mund ta bëjnë atë të identifikueshme.

Rasti është një kujtesë se pas një informacioni që përfundon në kronikë qëndron një vajzë shumë e re dhe një familje që po kalon momente të vështira. Më e rëndësishmja në këtë moment është që ajo është pranë familjes dhe të marrë kujdesin e mbështetjen që i nevojitet.