Një rast i ndjeshëm është raportuar më 23 shtator në Brezovicë, ku një 14-vjeçare dyshohet se është ngacmuar seksualisht nga një burrë 61-vjeçar, i cili është fqinj i familjes së saj.
Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se rasti është raportuar rreth orës 14:40 nga nëna e të miturës, e cila ka njoftuar se vajza e saj ishte shqetësuar nga Rade Janicijevic.
Për shkak të moshës së viktimës, Sinjali nuk do të publikojë asnjë të dhënë që mund të çojë në identifikimin e saj.
Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, incidenti dyshohet se ka ndodhur rreth orës 13:00, derisa viktima dhe i dyshuari po ecnin në drejtim të objektit të banimit ku jetojnë të dy.
Nga të dhënat fillestare, i dyshuari pretendohet se i është drejtuar të miturës me komente për pamjen e saj, duke i thënë se është “e bukur”, “shumë tërheqëse” dhe “simpatike”.
Rreth orës 16:20, Janicijevic është shoqëruar në stacion, ku është konstatuar se ishte nën ndikim të alkoolit, me rezultat 1.02 mg/l.
Për rastin është kontaktuar Prokurori i Shtetit, i cili ka udhëzuar që çështja të procedohet në procedurë të rregullt.
Rasti po hetohet si “Ngacmim seksual”, ndërsa hetimet për sqarimin e plotë të rrethanave po vazhdojnë.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.