Sot në Dhomat e Specializuara në Hagë do të mbahen deklaratat përfundimtare në çështjen Thaçi dhe të tjerëve, në lidhje me akuzat për administrim të drejtësisë.
Seancat do të fillojnë në orën 09:30 dhe mund të vazhdojnë deri në orën 17:15.
Deklaratat përmbyllëse do të jepen sot më 10 shtator dhe po ashtu më 11 dhe 14 shtator 2026.
Në këtë aktakuzë përfshihen Hashim Thaçi, Bashkim Smakaj, Isni Kilajt, Fadil Fazliu dhe Hajredin Kuçi.
10/09/2026 15:47- Misetiq ndan qëndrimin e avokates së Thaçit: Nuk ka prova për ndikim real te dëshmitarët
Luka Misetic, avokati i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ka publikuar në rrjetin social “X” një pjesë të përgjigjes së avokates Sophie Menegon, lidhur me gjykimin për veprat penale kundër administrimit të drejtësisë.
Sipas Menegon, Thaçi po gjykohet për zhvillimin e një bisede në Njësinë e Paraburgimit, ndërsa ajo thekson se ndaj tij nuk ka pretendime për ryshfet, detyrim apo kërcënim të dëshmitarëve.
“Nuk ka asnjë pretendim për ryshfet, detyrim apo kërcënim ndaj dëshmitarëve. Nuk ka asnjë pretendim për ndërhyrje konkrete te dëshmitarët”, citohet të ketë deklaruar Menegon.
10/09/2026 15:16-Mbrojtja e Thaçit, Menegon: Vendimi të bazohet në prova dhe jo në spekulime
Mbrojtja e Hashim Thaçit, e përfaqësuar nga avokatja Sophie Menegon ka kërkuar nga trupi gjykues që vendimi për ish-presidentin e Kosovës të bazohet në prova dhe jo në spekulime, duke kërkuar lirimin e tij nga të gjitha akuzat.
“Ne kërkojmë që vendimi juaj të bazohet në prova dhe jo në spekulime, dhe të jetë lirim nga të gjitha akuzat”, tha Menegon.
Artikullin e plotë e keni këtu
10/09/2026 15:03- Rasti i administrimit të drejtësisë, OVL e UÇK-së: Kërkesat e ZPS-së nuk mund ta fshehin dështimin e një prokurorie të njëanshme
Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës shpreh shqetësimin e saj të thellë lidhur me kërkesat e fundit të Prokurorisë së Specializuar për dënimin e Hashim Thaçit, Hajredin Kuçit, Fadil Fazliut, Isni Kilajt dhe Bashkim Smakajt në rastin e pretenduar të pengimit të drejtësisë.
OVL e UÇK-së thekson se këto kërkesa nuk janë befasi.
“Ato vijnë nga e njëjta Prokurori e Specializuar, e cila gjatë gjithë këtij procesi ka ndërtuar një qasje të njëanshme ndaj ish-pjesëtarëve të UÇK-së dhe ka ngritur akuza mbi një material të kontestueshëm, përfshirë edhe materiale të ardhura nga Serbia”, thuhet në njoftim.
Lajmi i plotë KËTU:
10/09/2026 14:03-Aktakuza për pengim të drejtësisë, Prokuroria kërkon 6 vjet burgim për Thaçin, nga 3 për Fazliun, Kilajn e Smakajn, dhe 9 muaj për Kuçin
Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, në fjalën përfundimtare në gjykimin për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) kërkoi që Hashim Thaçi të dënohet me 6 vjet burgim, Bashkim Smakaj, Isni Kilaj dhe Fadil Fazliut nga 3 vjet burigm, kurse Hajredin Kuçit me 9 muaj burgim.
Prokurori Joshua Hafetz kërkoi që të akuzuarit të shpallen fajtorë për të gjitha pikat e aktakuzës.
Artikullin e plotë e keni këtu
10/09/2026 11:10- Prokuroria publikon mesazhe dhe audioincizime nga biseda e Thaçit me Fazliun
Prokurori i Specializuar, Joshua Hafetz, ka vazhduar gjatë seancës në Hagë paraqitjen e provave në çështjen ndaj Hashim Thaçit dhe të tjerëve.
Në kuadër të deklaratave përfundimtare, Hafetz ka vazhduar të publikojë mesazhe dhe incizime audio që lidhen me komunikimet dhe bisedat me Fadil Fazliun.
Hafetz ka deklaruar se dëshmia e Rrustem Mustafës në rastin ndaj Hashim Thaçit dhe të tjerëve në rastin për krime lufte, ishte në shënjestër të ndërhyrjeve nga ana e Thaçit.
“Mustafa dhe dëshmia e tij ishin në shënjestër të udhëzimeve të ndërhyrjes së Thaçit të cilat synoni në një pjesë të madhe të sigurohej që z. Mustafa të krijonte një distancë në mes Shtabit të Përgjithshëm dhe komandantëve të zonave që përputhej me narrative e Thaçit”, ka thënë ai.
Prokuroria po i paraqet këto materiale në mbështetje të pretendimeve të saj lidhur me komunikimet mes të akuzuarve dhe çështjen e ndikimit të mundshëm në dëshmitarë.
10/09/2026 10:59- 28 orë incizime të Thaçit brenda qendrës së paraburgimit, Prokuroria pretendon se përmbajtja është tronditëse
Prokurori i Specializuar, Joshua Hafetz ka vazhduar paraqitjen e argumenteve në deklaratat përfundimtare në çështjen ndaj Hashim Thaçit dhe të tjerëve, duke pretenduar se Thaçi u jepte udhëzime të bashkakuzuarve lidhur me dëshmitarët.
Sipas prokurorit, të bashkakuzuarit duhej të vepronin në përputhje me atë që kërkonte Thaçi. Prokurori Joshua Hafetz ka deklaruar se janë siguruar rreth 28 orë incizime të bisedave të Thaçit, të shpërndara në nëntë vizita të veçanta gjatë një periudhe katërmujore.
“28 orë incizime të z. Thaçi, të shpërndara në nëntë vizita të veçanta në periudhën katërmujore, përfshirë pesë vizita ku Thaçi ka folur me të bashkakuzuarit në këtë çështje gjyqësore”, u shpreh ai.
Lajmi i plotëKËTU
10/09/2026 10:48- West: Personat që kishte zgjedhur Hashim Thaçi për kontakt ishin partnerë të devotshëm të tij
Prokurorja e Specializuar – Kimberly West gjatë deklaratës së saj theksoi se personat që kishte zgjedhur Hashim Thaçi për kontakt ishin partnerë të devotshëm dhe në mënyrë të vazhdueshme garantuan Thaçin që udhëzimet e tij po respektoheshin.
West tutje theksoi se Thaçi dha edhe udhëzimet të qarta se cilat duhet të ishin arsyet pse dëshmitarët duhet të respektonin dëshirën e Thaçit.
Ajo theksoi tutje se Thaçi sigurohej që të gjitha udhëzimet që ia kishte dhënë personave që kishte kontakt me ta si Fazliut, Kilajt, Kuçit e personave tjerë po shkruheshin diku, në mënyrë që të mos harronin.
West theksoi tutje se gjatë disa takimeve u diskutuan komente të cilat u gjetën më pas në banesën e Kilajt dhe veturën e Smakajt.
10/09/2026 10:37- Kryeprokurorja me akuza ndaj Thaçit në Hagë: Formoi grupe për të ndikuar te dëshmitarët
Kryeprokurorja e Specializuar, Kimberly West ka paraqitur deklaratat e saj gjatë seancës së deklaratave përfundimtare në çështjen ndaj Hashim Thaçit dhe të tjerëve, duke ngritur pretendime për përpjekje për pengimin e procesit gjyqësor.
Ajo ka thënë se Thaçi, përballë akuzave të rënda dhe mundësisë për një dënim të gjatë, së bashku me bashkëpunëtorët e tij, ka tentuar të pengojë procesin.
Sipas saj, gjatë hetimeve janë sekuestruar materiale të shumta, përfshirë dokumente dhe prova të tjera, të cilat, sipas Prokurorisë, dëshmojnë për përpjekjet për ndërhyrje në proces.
“U kap me shumë orë inicizime e dokumente. Kjo na kujton sesa vigjilent duhet të jemi vazhdimisht, sepse është e nevojshme të mbrojmë integritetin e procesit ndaj atyre që tentojnë ta dëmtojnë atë”, ka thënë West.
Lajmi i plotë KËTU
10/09/2026 10:23- Thaçi i pranishëm në sallë, të tjerët përmes videolidhjes – nis seanca në Hagë
Ka nisur seanca në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, ku sot do të mbahen deklaratat përfundimtare në çështjen ndaj Hashim Thaçit dhe të tjerëve, lidhur me akuzat për administrim të drejtësisë.
Në sallën e gjyqit është i pranishëm Hashim Thaçi, ndërsa të akuzuarit e tjerë, Bashkim Smakaj, Isni Kilaj, Fadil Fazliu dhe Hajredin Kuçi, po e ndjekin seancën përmes videolidhjes.
Çështja lidhet me akuzat për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë dhe përfshin pesë të akuzuarit.
10/09/2026 10:00- Aktakuzat ndaj Smakajt, Kilajt, Fazliut dhe Kuçit
Gjykata Speciale ka njoftuar se ndaj Bashkim Smakajt, Isni Kilajt dhe Fadil Fazliut janë ngritur, për secilin, një akuzë për vepra penale kundër rendit publik (tentim për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare) dhe një akuzë për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë dhe administratës publike (mosbindje ndaj gjykatës).
Ndaj Hajredin Kuçit janë ngritur dy akuza për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë dhe administratës publike (mosbindje ndaj gjykatës).
10/09/2026 09:59- Aktakuzat ndaj Thaçit
Gjykata Speciale përmes një njoftimi për media ditë më parë ka bërë të ditur se ndaj Hashim Thaçit janë ngritur tri akuza për vepra penale kundër rendit publik (tentim për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare).
Ndaj tij po ashtu edhe tetë akuza për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë dhe administratës publike (shkelje e fshehtësisë së procedurës dhe mosbindje ndaj gjykatës).
10/09/2026 09:56- Çka thuhet në aktakuzë?
Sipas aktakuzës, midis 2 korrikut 2023 dhe 2 nëntorit 2023, gjatë vizitave të ndryshme jo të privilegjuara në objektin e paraburgimit, Hashim Thaçi u dha Bashkim Smakajt, Isni Kilajt dhe Fadil Fazliut informacion konfidencial lidhur me dëshmitarë të Prokurorisë dhe tentoi bashkë me ta, si dhe me persona të tjerë ndaj të cilëve nuk janë ngritur akuza, të ndikojë në dëshmitë e disa dëshmitarëve.
Në aktakuzë gjithashtu pretendohet se Thaçi bëri marrëveshje me Hajdredin Kuçin që ky i fundit të kontaktonte dëshmitarë të Prokurorisë në gjykimin për krime lufte Thaçi dhe të tjerët, në kundërshtim me urdhrin që ua ndalonte atyre të bënin këtë jashtë kushteve të caktuara.
Kuçi pretendohet gjithashtu se kontaktoi edhe një tjetër dëshmitar të Prokurorisë me nismën e vet.