Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, i ka reaguar nënkryetares së PDK-së, Vlora Çitaku, lidhur me qasjen politike ndaj Gjykatës Speciale në Hagë.
Rrustemi ka thënë se çështja e Speciales nuk duhet të trajtohet vetëm nga këndvështrimi i kalkulimeve politike, duke kërkuar, siç është shprehur, më shumë seriozitet dhe prioritet.
“Vlora Çitaku, nuk është bre gjithçka kalkulim politik. Të paktën çështjes së Gjykatës Speciale t’i qasemi pa kalkulime e me pak më shumë prioritet”, ka shkruar Rrustemi.
Ai ka kritikuar qasjen e partive opozitare ndaj Kuvendit dhe Gjykatës Kushtetuese, duke ngritur pyetje lidhur me qëndrimet e tyre për funksionimin e institucioneve.
Çitaku: Nëse LVV e voton ndryshimin e Ligjit për Specialen, PDK është e gatshme t’i tërheqë lëndët nga Kushtetuesja
“Çka është kjo sjellje politike, njëherë thoni nuk kemi Kuvend, e çoni në Gjykatë Kushtetuese, bojkotoni kompletimin e kryesisë, pastaj i drejtoheni Kuvendit që e konsideroni antikushtetues dhe thuani i tërheqim kërkesat në Kushtetuese”, ka deklaruar ai.
Rrustemi ka kërkuar gjithashtu reflektim mbi veprimet e kaluara politike dhe nxjerrjen e mësimeve prej tyre.
“Ju lutem për pak seriozitet, më shumë reflektim për gabimet fatale të shkuara nga të cilat duhet të nxirren mësime dhe të kemi strategji shtetërore të bashkërenduar për mbështetje të procesit të padrejtë në Hagë”, ka shkruar deputeti i LVV-së.