Një konflikt mes dy të miturave ka përfunduar me sulm fizik në parkun e qytetit në Mitrovicën e Veriut, ndërsa shkak dyshohet të ketë qenë një përplasje për fjalë të thëna rreth të dashurit të njërës prej tyre.
Sinjali mëson se rasti ka ndodhur më 11 shtator, rreth orës 13:30, ndërsa pak minuta më vonë viktima, një 16-vjeçare, është paraqitur në Stacionin Policor në Mitrovicën e Veriut për ta raportuar rastin.
Sipas deklarimit të saj, ajo kishte shkuar në park pasi ishte ftuar aty nga një tjetër e mitur.
Kur ka mbërritur, e dyshuara 15-vjeçare e ka pyetur se përse po fliste keq për të dhe për të dashurin e saj, pas së cilës situata ka eskaluar.
Sipas raportimit, e mitura më pas dyshohet se ka filluar ta sulmojë fizikisht bashkëmoshataren.
Viktima nuk ka pranuar trajtim mjekësor, pasi ka deklaruar se nuk ndihej e lënduar.
Për rastin është njoftuar hetuesi kujdestar dhe Prokurori i Shtetit, i cili ka udhëzuar që rasti të iniciohet si “Sulm”.
E dyshuara është intervistuar në praninë e avokatit mbrojtës dhe nënës së saj, ndërsa pas përfundimit të procedurave është liruar në procedurë të rregullt.
Rasti mbetet nën hetim.