Një konflikt mes dy të rinjve në Burojë të Skenderajt dyshohet se ka eskaluar mëngjesin e sotëm në dhunë fizike, ku një 16-vjeçar është goditur në kokë me çelës mekanik dhe ka përfunduar në spital.

Sinjali mëson se i dyshuari është Arjon Kastrati 18-vjeçar, ndërsa viktima M.M.

Rasti ka ndodhur sot, rreth orës 07:30, ndërsa Policia është vënë në lëvizje pas pranimit të informatës për një rrahje në fshatin Burojë.

Me të mbërritur në vendngjarje, patrulla ka takuar të miturin së bashku me prindin e tij.

Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, prindi ka deklaruar se djali i tij ishte sulmuar nga Kastrati dhe kishte pësuar lëndime në kokë pasi dyshohet se ishte goditur me një çelës mekanik.

Për shkak të lëndimeve, në vendngjarje ka intervenuar autoambulanca.

16-vjeçari fillimisht është dërguar për trajtim në QKMF në Skenderaj, ndërsa më pas është transferuar në Spitalin Rajonal në Mitrovicë për trajtim të mëtejmë mjekësor.

Ndërkohë, Policia ka shoqëruar në stacion të dyshuarin, i cili është intervistuar në praninë e avokatit mbrojtës.

Pas trajtimit mjekësor, edhe viktima është paraqitur në stacion dhe është intervistuar në praninë e prindit.

Hetimet fillestare kanë nxjerrë edhe pistën se çfarë mund t’i ketë paraprirë sulmit.

Sipas të dhënave të rastit, dy të rinjtë kishin pasur një konflikt verbal edhe një ditë më parë, por atë përplasje nuk e kishin raportuar në Polici.

Njësia e Hetimeve ka njoftuar Prokurorin kujdestar, i cili ka urdhëruar inicimin e rastit për veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”.

Për Arjon Kastratin është marrë vendim që të ndalohet për 48 orë.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.