Një ngjarje e rëndë është raportuar mbrëmjen e së premtes në Graçanicë, ku një burrë është gjetur pa shenja jete brenda shtëpisë së tij. Ishte miku i viktimës ai që e zbuloi trupin e pajetë dhe më pas njoftoi Policinë, raporton Gazeta Sinjali.

Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se viktima është Predrag Dobric, rreth 43-vjeçar, i cili është gjetur i vdekur në shtëpinë e tij në rrugën “Devet Jugovic” në Graçanicë.

Rasti është raportuar më 23 tetor 2026, rreth orës 19:35, kur B.C, është paraqitur në Stacionin Policor në Graçanicë dhe ka njoftuar se mikun e tij e kishte gjetur pa shenja jete.

Menjëherë pas marrjes së informatës, në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë patrulluese, hetuesit policorë dhe forenzika, të cilët kanë nisur ekzaminimin e vendit ku është gjetur viktima.

Në vendngjarje është angazhuar edhe ekipi mjekësor nga Qendra e Mjekësisë Familjare në Llapnasellë, ku mjeku ka konstatuar vdekjen e 43-vjeçarit.

Me urdhër të Prokurorisë, trupi i pajetë është tërhequr nga Instituti i Mjekësisë Ligjore, ndërsa rasti është iniciuar si “Hetim mbi vdekjen”.

Rrethanat dhe shkaku i vdekjes nuk janë bërë të ditura në informacionet fillestare, ndërsa pritet që ekzaminimet mjekoligjore të ndihmojnë në sqarimin e tyre.

Hetimet lidhur me rastin janë duke vazhduar.