Një shtyllë elektrike e dëmtuar dhe e anuar ndjeshëm po rrezikon banorët dhe kalimtarët në rrugën “Ahmet Shukuri”, në fshatin Billushë të Prizrenit, ndërsa një pjesë e lagjes ka mbetur pa energji elektrike prej disa ditësh.
Një qytetar ka kontaktuar Gazetën Sinjali, duke ngritur shqetësimin për gjendjen e shtyllës prej druri dhe duke kërkuar ndërhyrje urgjente nga KEDS-i.
“Banorët e rrugës “Ahmet Shukuri” në fshatin Billushë të Prizrenit po kërkojnë ndërhyrje urgjente nga KEDS-i, pasi një shtyllë elektrike prej druri është dëmtuar dhe është anuar ndjeshëm, duke ngritur shqetësime për sigurinë e banorëve dhe kalimtarëve.”, ka thënë në kushte anonimiteti një banor për Gazetën Sinjali.
Sipas tij, problemi ka nisur para rreth 3–4 ditësh, kur shtylla është dëmtuar dhe ka nisur të anohet ndjeshëm, duke krijuar shqetësim për sigurinë e banorëve dhe personave që kalojnë në këtë pjesë të fshatit.